Ubuntu për Android
Canonical ka bërë të ditur një produkt të ri të quajtur Ubuntu për Android që do të sjellë në jetë distribucionin e popullarizuar Linux në smartphonet e nivelit të lartë në treg që fuqizohen nga Android. Produkti në fjalë ofron një eksperiencë të plotë sikurse Ubuntu dhe është i paraparë për të funksionuar përkrahë ambientit standard Android.
Shfrytëzuesit do të kenë mundësinë që të lëshojnë Ubuntu’n nga pajisja e tyre në momentin që konektojnë pajisjen me një dock që konektohet me një tastierë dhe monitor. Koncepti në fjalë është i ngjashëm me ambientin WebTop që ofron Motorola për pajisjen Atrix dhe pajisjet tjera.
Varianti i ri Ubuntu funksionon mbi kernel’in e Android dhe është dizajnuar të punojë mirë në pajisje që kanë ARM CPU me dy bërthama. Për dallim prej ambientit WebTop në Motorla, Ubuntu për Android sjell një ambient më të kompletuar me një numër aplikacionesh. Kjo gjithashtu ofron edhe një integrim bashkëkohor me ambientin Android që ka telefoni i përdoruesit.

Ubuntu për Android
Bashkësia e aplikacioneve ofron shfletuesin Chromium, klientin për e-mail Thunderbird, programin për rrjete sociale Gwibber, VLC’n dhe një përzgjedhje të softuerëve tjerë. Ambienti përfshin një sistem të unifikuar të kontakteve që do të mundësojnë qasje të plotë në regjistrin e kontakteve përmes ambientit Ubuntu. Ai gjithashtu mund të detektojë llogari të rrjeteve sociale të cilat përdoruesit i kanë konfiguruar në Android dhe më pas mundëson automatizim të tyre në Gwibber.
Ubuntu për Android është në gjendje të shfrytëzojë edhe kapacitetet e telefonit me Android, duke përfshirë rrjetin 3G dhe 4G. Canonical thekson se Ubuntu për Android paraqet një mënyrë që operatorët të avancojnë tutje me adoptimin e pajisjeve 4G. Kompania gjithashtu ka theksuar se Ubuntu për Android është e lehtë për prodhuesit e harduerit që ta integrojnë me pajisjet me Android. Sikurse zgjidhja e Motorola’s, edhe kjo e Ubuntu kërkon pajisje me dalje HDMI dhe microUSB.
Ars Technica njofton se Mark Shuttleworth, themelues i Canonical, ka thenë se kompania do të demonstrojë produktin gjatë eventit Mobile World Congress që mbahet javën e ardhshme. Ai gjithashtu ka thenë se ambienti Ubuntu TV është pjesë e Ubuntu për Android, që nënkupton se do të ketë mundësi për ofrimin e një eksperience të plotë mediale kur pajisja të lidhet me një televizor.
Është me rëndësi të theksohet se produkti dallon prej sistemit operativ mobil që Canonical premton të sjellë në vitin 2014. Kompania është ende duke punuar për të kompletuar platformën mobile që pritet të konkurrojë me Android.